Arkiva Ditore: 13 Shtator, 2012

Trokiti Shtatori sërish…

Erdhi shtatori edhe për këtë vit dhe Medreseja ‘’Haxhi Sheh Shamia’’ dega e Vajzave dhe e djemve hapën dyert për të gjithë nxënësit që do vijojnë këtë vit mësimet e tyre në këto ambiente. Dita e parë e shkollës si përherë është një ditë plot urime për një udhë të mbarë drejt dijes dhe kulturës, një rrugëtim ky që më shumë se lodhje të ofron shumë begati duke hapur dritare të reja në rrugën e edukimit dhe të arsimimit.

Atmosfera ishte mjaft festive si në degën e vajzave ashtu edhe në atë të djemve. Që herët oborret e dy shkollave u mbushën menjëherë dhe natyrshëm, si ditë e parë emocionet janë të shumta jo vetëm për ata që tashmë e kanë kthyer medresenë në vatrën e tyre,
por më shumë për ata që për herë të parë ulen në bankat e kësaj shkolle. Të emocionuar ishin mjaft edhe prindërit e tyre pasi tashmë janë të bindur se rruga e zgjedhur për fëmijët e tyre është rruga e duhur.

Programet artistike ishin të pashmangshme edhe për këtë ditë, përgatitjet e së cilave kishin kohë që kishin nisur si për t’i thënë shkollës që përherë jemi me ty. Fjalët përshëndetëse të drejtuesve ishin mbreslënëse, mesazhet e të cilëve u përqafuan nga të gjithë të pranishmit.