Arkiva Mujore: Qershor 2012

Panairi Kombëtar i Artizanatit 20 Qershor 2012

Me ftesë së Shoqatës së Artizaneve Shkodrane Vajzat e Medresesë u ftuan në Panairin Kombëtar të Artizanatit që u zhvillua më 20 Qershor në ambientet e Muzeut Hitorik Kombëtar në Tiranë me pjesëmarrjen e shumë artizanëve të ardhur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë. Medresistet ftohen në një aktivitet të tillë pas një pune intensive që kanë bërë gjatë gjithë vitit për zhvillimin dhe ripërtëritjen e traditës së bukur të artizanatit aktivitete këto që u mbështetën si përherë nga Shoqata V H K ‘Istanbul’ nën përkujdesjen dhe orientimet e zj. Artensa Tufi si drejtuese e artizaneve të Shkodrës.

Në Tiranë nxënëset u pritën mjaft ngrohtësisht nga drejtoresha e artizaneve shqiptare dhe në të njëjtën kohë drejtuese e bordit të grave të Biznesit shqiptar zj. Flutura Xhabija e cila shprehu konsideratën e saj të lartë për punën e palodhur që nxënëset kishin bërë gjatë gjithë kësaj kohe. Ajo dha një pasqyrë të gjërë të aktivitetit që ushtrohet për ripërtëritjen e kësaj tradite të mrekullueshme dhe u interesua nga afër me punimet e vajzave. Ajo u premtoi se kjo pjesëmarrje e tyre nuk do mbetej me kaq por do vijojë edhe me bashkëpunime të tjera që këto vlera të marrin përmasa akoma edhe më të gjera dhe të shtrihen në të gjithë vendin pasi mundësitë dhe dëshira për punë asnjëherë nuk mungojnë.

Ceremonia e hapjes së aktivitetit u zhvillua pasdreke me pjesëmarrjen e figurave të rëndësishme të pushtetit vendor, përfaqësues të Ministrive të Ekonomisë dhe të Kulturës si dhe përfaqësues të Bashkisë së Tiranës. Gjatë kësaj ceremonie u vu theksi në domosdoshmërinë e rritjes së mbështetjes dhe investimeve në këtë drejtim si dhe u shpalosën platforma që do e çojnë akoma më tutje këtë traditë të mrekullueshme.

Të pranishmit u interesuan nga afër me punimet e nxënëseve medresiste të cilat si përherë befasojnë publikun me punimet e tyre mjaft kreative. Vlen për t’u theksuar se interesimi i të pranishmëve nuk ngeli thjeshtë vetëm në punimet që vajzat paraqitën, përkundrazi ata gjetën mundësinë edhe të informoheshin për çështje të ndryshme fetare të cilave nuk kishin arritur t’i jepnin përgjigje më parë.

      

Projekti qytetar i Ambasadës Amerikane në bashkepunim me Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”

Prej 6 vitesh Ambasada Amerikane bashkëpunon me Medresenë “Haxhi Sheh

Shamia” në Projektin Qytetar i cili zhvillohet tashmë çdo fund viti në muajin Maj projekt i cili ka të bëjë me sensibilizimin e brezit të ri në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit. Nxënësit e medresesë si të vajzave ashtu edhe të djemëve nën mbikqyrjen e përhershme dhe në mbështetje të plotë të mësuesve përkatës Belma Selhani dhe
Ylber Dyli arrijnë të shpalosin para publikut ide dhe platforma tepër interesante për mjedisin dhe zhvillimin e mëtejshëm të strukturave të qytetarisë. Nxënësit nëpërmjet këtyre projekteve kryejnë hulumtime mjaft të rëndësishme duke zgjeruar dita ditës horizontet e tyre dhe bëjnë përpjekje si të bëhem edhe më të dobishëm për zhvillimin e hovshëm të shoqërisë dhe vendit ku jetojmë.

Tashmë nxënësit tanë kanë treguar aftësitë e duhura se janë të aftë të bashkëpunojnë gjerësisht dhe të kontribuojnë për zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë sonë.

    

Nxënësit e medresesë, festojnë me fëmijët festën e 1 qershorit

1 Qershori i ka mbledhur klasat e pesta të shkollave 9 vjeçare të rrethit të Shkodrës në ambientet e medresesë së vajzave në lojrat popullore të kthyera në traditë për shkollën tonë. Atmosfera ka qenë mjaft festive ku lojrat ishin të shumta të përgatitura  më shumë kujdes nga mësuesja e fiskultures zj. Ixhlal Kodra.

    Nxënëset treguan një përformancë mjaft të mirë duke u dhuruar emocione të shumta të pranishmëve të cilët nuk reshtën së duartrokituri. Aktiviteti u shoqërua edhe me ilahi dhe këngë të ndryshme kushtuar festët së fëmijëve të cilat dhuruan emocione të veçanta. Në fund ishte përgatitur edhe një kokteil për të ftuarit.

Aktiviteti i 1 qershorit u shoqërua më pas me një vizite të nxenësëve në shtëpinë e fëmijës ku edhe aty u organizua një program i shkurtër festiv. Këtu të bënte përshtypje mikëpritja e fëmijëve jetim të kësaj shtëpie dhe ajo që dhuroi më shumë emocion ishte momenti i shpërndarjes së dhuratave. Edhe një herë fëmijët e kuptuan se nuk ishin vetëm dhe se përherë gjejnë përkrahje nga moshatarët e tyre.

Nga vizita e z. Osman Nuri Topbas në Shkodër

Të hënën e datës 28. 05. 2012 Shkodra priti qytetarin e nderit të saj hirësinë e tij z. Osman Nuri Topbash i cili shoqërohej nga një delegacion i ardhur nga Turqia enkas për të. Nuk është hera e parë që hirësia e tij vjen në qytetin tonë, por emocionet e mikëpritjes janë çdo herë ndryshe. Hirësia e tij u prit nga Kryetari i shoqatës ‘Istanbul’ z Ridvan Seferaj dhe drejtues të tjerë të këtij institucioni.

Vizita e tij e parë ishte në Medresenë e vajzave pas një pushimi të shkurtër në qendrën e shoqatës, në Konak.

Një program mbreslënës dhe plot emocione ishte përgatitur nga nxënëset e medresesë të cilat me pjesët e zgjedhura enkas për të i uronin mësuesit dhe edukatorit tonë mirë se ardhjen. Çdo gjë ishte menduar deri në detaj dhe çdo gjë të thoshte diçka.

 

    

Mikëpritja në hyrje të sallës, skena e përgatur me shumë kujdes, programi i larmishëm që reflektonte çiltërsi dhe mall

për dashurinë e shtrenjtë, një poezi mjaft e goditur kushtuar hirësisë së tij z. Musa Topbash babai i z. Osman Nuri Topbash e cila do ti përlote të gjithë që ishin në sallë ishin vetëm disa aspekte nga programi në fjalë. Më pas do vinte bisesa e shumëpritur e edukatorit tonë drejtuar nxënëseve dhe stafit të punës.

Një tjetër element kyç i vizitës ishte edhe ligjerata që mbajti hirësia e tij në sallën e konferencave tek dega e djemve për mbarë popullin e Shkodrës.

Një pjesmarrje masive ku të gjithë prisnin me padurim mesazhet domethënëse që do përcillte hoxha i nderuar. Vëllazërimi, toleranca, mirëkuptimi, virtytet e larta njerëzore të shoqëruara me shembuj konkretë nga jeta e Profetit dhe sahabëve të tij, sfida të jetës të shoqëruara me argumente të shumta nga ajetet Kuranore etj kanë qenë disa nga aspektet e trajtuara në ligjeratë nga  hirësia e tij.

E nesërmja ishte po aq e ngarkuar me takime dhe biseda të larmishme. Vizita në qendrën kulturore ‘Progresi’ ku hirësia e tij u njoh më nga afër me punën që bëhet në këtë institucion, zhvillimet e fundit të revistës ‘Etika’ si dhe përkthimet e librave dhe materialeve të ndryshme.

Më pas u kalua në degën e djeme ku një tjetër atmosferë e prite hoxhën e nderuar. Një program i këndshëm i djemve i uronte hirësisë së tij mirë se ardhjen. Edhe këtu nuk mungoi ligjerata e edukatorit tonë me mesazhe dhe reflektime mjaft të vlefshme për brezin e ri.

Koha kaloi si pa kuptuar e megjithatë na la mbresa të pashlyeshme Një kënaqësi më shumë kishim fituar nga kjo vizitë e për më tepër reflektimet ishin të dukshme tek çdonjëri prej nesh. U çmallëm me praninë e tij e ndërkaq morëm mbi supe përgjegjësitë për të bërë gjëra akoma më të mëdha për ditët në vijim.