Arkiva Mujore: Gusht 2012

Me syrin e zemrës

“Me syrin e zemrës” ishte programi i organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, realizuar në televizionin Ora News në Tiranë me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit, program nga i cili morëm ftesën për të qenë të pranishëm ditën e Premte të datës 17.08.2012. I ftuar si përfaqësues i shoqatës V.H.K “Istanbul” ishte z. Evans Drishti ndërsa i ftuari tjetër ishte z. Dorian Demetja zv/kryetar i KMSH-së, nën drejtimin e Ramadan Çipurit.

Tema e diskutimit ishte “Perjetime ramazani” nisur nga fakti se ishin ditët e fundit të muajit të bekuar dhe secili i ftuar do të sillte përjetimet përkatëse gjatë këtij muaji.

Gjatë bisedës u sollën përjetime të ndryshme të organizime që u bënë gjatë muajit të Ramazanit. Një vend të rëndësishëm zunë edhe përcjellja e përgatitjeve të bëra nga KMSh si dhe të shoqatës “Istanbul”. Sa është ndjerë ky muaj i bekuar si në Shkodër ashtu edhe nëpër rrethe? Cili ka qenë roli i KMSh-së dhe i Myftinive përkatëse në këtë muaj? Cilat ishin aktivitetet kyçe që u zhvilluan? Ç’solli të veçantë këtë vit nga vitet e kaluara? Si shpjegohet fakti i rritjes së ndjeshme të shtrimit të yftareve në mbarë Shqipërinë?… etj kanë qenë disa nga pyetjet që u dhanë përgjigje gjatë emisionit.

Programi “Me syrin e zemrës” është edicioni i dytë që organizon KMSH me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit.

Lamtumirë vitin e ardhshëm…

Këtë javë përfundoi kursi veror 2012 i organizuar nga shoqata ‘Istanbul’ në ambientet e dy Medreseve, të vajzave për vajzat dhe të djemve për djemtë. Është viti i 11 i organizimit të këtyre kurseve me një bashkëpunim të frytshëm edhe me institucionin e Myftinisë së rrethit të Shkodrës.

Edhe këtë vit, këto kurse verore erdhën mjaft të larmishme, ku përveç orëve të mësimit në lëndët e besimit, të edukatës morale, të Kuranit nuk munguan edhe lëndët e tjera si gjuha turke, kompjuteri, gjuha angleze etj. Një e veçantë e këtij viti kanë qenë edhe punimet me dorë të kryera nga vetë nxënëset si dhe krijimtaria poetike dhe letrare. Një tjetër element që i dha një gjallëri kursit veror ishin edhe organizimet e ndryshme kutlurore si brenda ambientit ashtu edhe shëtitjet e organizuar në pika turistike të ndryshme të vendit.

Në përfundim të këtij kursi u zhvillua një program artistik përgatitur me shumë kujdes nga vetë nxënëset pjesëmarrëse të cilat shpalosën para të pranishmëve dijet që kishin marrë, megjithëse për një kohë të shkurtër. Ata treguan se kishin qenë të përkushtuara ndaj programit të këtij kursi veror dhe natyrshëm edhe të kujdesshme të përfitonin sa më shumë gjatë kësaj kohe.

Një program i ngjashëm u zhvillua një ditë më pas edhe në degën e djemve ku e njëjta gjallëri dhe larmi të binte në sy edhe atje.

Një detaj i rëndësishëm i këtyre programeve ishin edhe dhuratat për nxënësit fitues si për krjimin më të mirë ashtu edhe për punimin më të mirë të dorës, për pikturën më të bukur si dhe për nxënësit më të dalluar të këtij kursi. Emocione të shumta dhanë edhe insertet e përgatitura me aq kujdes nën ndihmesën e mëseseve përkatëse Monika Mera, Detjona Velija, Afrora Bushati, Pranvera Bushati etj

Nxënësit i dhanë lamtumirën kursit të sivjetshëm duke thënë se këto momente të bukura që përjetuan gjatë kësaj kohe do t’i shoqëronin edhe në vazhdim dhe shprehën dëshirën të takoheshin sërish vitin e ardhshëm.

Forumi i ish-medresisteve në yftarin tradicional

Kësaj here ishin vajzat medresiste, ato të cilat për tetë vite me radhë u ulën në bankat e medresesë ‘Haxhi Sheh Shamia’ duke mbartur mbi supe emrin e lartë të medresistes, ishin ato të ftuarat e radhës të yftarit tradicional të shtruar nga shoqata ‘Istanbul’ në ambientet e Medresesë së Vajzave.

Prej vitesh kishin përfunduar këtë shkollë, e ndërkaq sot ato janë punonjëse të denja në institucione të larta publike dhe jopublike, nëna dhe besimtare të devotshme, janë bashkëshorte të zonja dhe të përkushtuara, mikesha të shtrenjta e për më tepër janë zonja të vërteta shkodrane dhe jo vetëm…

Begatia e sofrës së yftarit i mblodhi ish-medresistet së bashku për të marrë pjesë nga mirësia dhe harmonia e kësaj sofre si dhe për të përkujtuar atë periudhë të artë nga ku dolën përfaqësuese të denja të shoqërisë së sotme.

      

Sofra e yftarit sofër e traditës

Mbrëmja e së Hënës ishte disi ndryshe për yftaret tradicionale të shtruara në ambientet e Medresesë së Vajzave nga Shoqata ‘Istanbul’, pasi mblodhi njëherazi stafin e Myftinisë Shkodër, familjarët e hoxhallarëve të vjetër të qytetit tonë si dhe familjarët e të persekutuarve. Një atmosferë e këndshme dhe mjaft domethënëse për pjesëmarrësit, të cilët sollën në kujtesën e tyre kohët e hershme, atë periudhë kur të parët e tyre punuan me përkushtim dhe devocion jo vetëm për profesionin e tyre, por për vendin dhe njerëzit.

Begatia dhe mirësitë e yftareve sjellin përherë kënaqësi që vetëm muaji i bekuar i Ramazanit mund t’i sjellë, për rrjedhojë edhe lidhja mes njerëzve është mjaft e ngushtë. Të shumta ishin familjet e vjetra shkodrane, të cilat ishin mjaft të emocionuara që ndodheshin në një yftar të tillë. Sytë e përlotur të tyre tregonin një kënaqësi që ndoshta kishin kohë që nuk e përjetonin.

Yftari i mbrëmshëm i la vendin të tjera yftareve si vijimësi e kësaj tradite të mrekullueshme.

Sofra e Syfyrit

Sofrat e yftareve të kthyera në traditë për shoqatën ‘Istanbul’ të organizuara në ambientet e Medresesë së Vajzave, ditët e kaluara ia lanë vendin një tjetër sofre mjaft të këndshme dhe po aq të veçantë, sofrës së syfyrit e organizuar posaçërisht në këto ambiente këtë herë me pjesëmarrjen e një grupi intelektualësh Shkodranë dhe realizmit të një lidhjeje direkte me televizionin prestigjioz Turk TRT Haber me prezantimin e gazetarit të njohur Turk Murat Kaban.

E ideuar me një tryezë të këndshme me një larmi ushqimesh tradicionale të qytetit tonë, të ftuarit e kësaj nate patën mundësinë të shprehnin mendimet dhe ndjenjat e tyre për këtë muaj të begatë të Ramazanit si dhe të shpalosnin para publikut turk traditën dhe kulturën e mrekullueshme të qytetit tonë. Figura të njohura si Ridvan Seferaj, Qashif Hoxha, Sadije Bushati, Zejnepe Dibra, Kujtim Dervishi, Astrit Dervishi, Vehbi Gruda, Fatmir Juka, Vjorensin Sinani Hydajete Muça etj jo vetëm që nderuan me pjesëmarrjen e tyre por dhanë mendime dhe sollën pasazhe mjaft të vlefshme lidhur me atmosferën e Ramazanit në Shkodër dhe përjetimet e tyre përkatëse.

Mbrëmja kaloi mjaft  këndshëm dhe gjithsecili shprehu kënaqësitë personale duke dëshmuar edhe një herë mirësinë që sjell ky muaj i begatë.